“Nëse teatri ka vdekur, rroftë teatri”, kështu shkroi më 27 mars të vitit 1961, dramaturgu dhe poeti francez, Jean Cocteau dhe kjo ishte porosia e parë, në atë që do të njihej edhe si ’Dita Botërore e Teatrit’, e cila shënohet pikërisht sot (27 mars).
Ajo që gjithë jetën vazhdon të ia kushtoj teatrit, duke shkrirë në mënyrën më origjinale çdo personazh të cilin ajo e luan në skenë, është padyshim aktorja jonë e mirënjohur, Arbnesha Grabovci Nixha, e cila për Radio KFOR-in përshkruan kiminë e saj me profesionin e aktores dhe magjinë që ka teatri: “Për mua skena është vet jeta, si aktore, por edhe si pedagoge e aktrimit në Fakultetin e Arteve, aty ku përgatisë gjenerata të reja, që një ditë të bëhen yje të radhës. Magjia e skenës të madhëron, të hap rrugë që të udhëtosh në epoka të ndryshme, ta jetosh antikën me Antigonën, Meden, Elektrën. Të shkosh te Moljeri, te Kopraci, Borgjezi fisnik, të mbërrish te Shekspiri me Romeon dhe Gjulietën, Makbethin e Othellon. Aty, ku paralelisht mund të jesh edhe mbret edhe lypsar…Ky është shkëlqimi i magjisë së skenës’’, tha znj. Grabovci Nixha.
27 Marsi, është një festë për ata që mund të shohin vlerën dhe rëndësinë e këtij arti.