Nga data 10 deri më 19 nëntor 2020, Organizata ‘GAIA Kosovo’ do të bëjë bashkë në Mitrovicë 12 të rinj të komuniteteve të ndryshme, të cilët do të mësojnë dhe shkruajnë histori të pa treguara të solidaritetit për këtë qytet. Data e fundit për aplikim për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarje shumetnike është sot, 27 tetor, ndërsa të gjithë të interesuarit, duhet të plotësojnë edhe formën e regjistrimit, duke klikuar KËTU.
Radio KFOR-i ka kontaktuar koordinatoren e Programit për Mitrovicë në ‘GAIA Kosovo’, Mevlude Skuroshi, e cila ka inkurajuar të rinjtë që të bëhen pjesë e këtij tubimi shumetnik: “Ideja e këtij tubimi ka qenë specifikisht me i ba bashkë të rinjtë e Kosovës. Po dojmë me i mbledh të rinjtë e Kosovës me ardh në Mitrovicë edhe vetë me dalë, me taku njerëz të Mitrovicës edhe me gjet narrativa më ndryshe prej asaj që shihet sidomos në media. Ka shumë ndodhi edhe storie ku njerëzit edhe pse kanë dallime mes veti, i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, bashkëpunojnë edhe gjejnë të përbashkëta mes tyre. Edhe për këtë arsye e kemi marrë temën e solidaritetit, sepse ne po dojmë me gjet storie në qytet ku njerëzit kanë mujt me i kapërcy dallimet qoftë etnike, sociale, gjinore, gjeografike, duke u thirrë në vlera më të mëdha njerëzore.”
Të gjitha historitë që do të shkruhen nga të rinjtë gjatë 10 ditëve të tubimit do të rezultojnë në një botim përfundimtar të përbashkët. Projekti ‘Akte të solidaritetit në kohë dallimesh/indiferencash’ mbështetet nga ‘Fondacioni Evropian i Rinisë’ dhe implementohet nga ‘GAIA Kosovo’.