Java teknologjike e javës që sapo kemi lënë pas, nisi me një hap që ndodhi për herë të parë në historinë e fushës teknologjike, ku Australia është bërë vendi i parë që detyron kompanitë Facebook dhe Google, që të paguajnë kompanitë mediatike australiane. Kjo zgjoi shumë debat dhe kundërshti nga motorët teknologjikë, megjithatë vetëm pas që Australia miratoi Kodin e Ri, Facebook njoftoi se ka nënshkruar marrëveshje paraprake me tri firma mediale australiane. Sipas ligjit të ri australian, kompanitë teknologjike duhet që të paguajnë publikuesit për përmbajtjen e lajmeve. Po të mos ishte interneti, nuk do të ishte as Google e as Facebook, e duket që falë veprimit të radhës nga Elon Musk, këta dy gjigand teknologjikë do të kenë shtrirje më të madhe në Tokë. Me paralajmërimin e ri të Starlink, interneti do të pushtojë çdo cep të botës. Themeluesi i kësaj kompanie, Elon Musk tha se deri në fund të këtij viti, pjesa më e madhe e planetit tonë do të mbulohet nga ‘Starlink Internet’ dhe se në vitin 2022, nuk do të ketë vende ku sinjali i tij nuk do te arrijë.
Në mediat teknologjike, një lajm që mbushi ballinat, ishte numri i madh i kompanive që ka blerë Apple. Në vetëm gjashtë vitet e fundit, kompania Apple, ka blerë rreth 100 kompani dhe këtë e ka zbuluar vet shefi ekzekutiv, Tim Cook.
Nëse flasim për shërbimet e reja nga rrjetet sociale, javën që sapo e kemi lënë pas, veçojmë paralajmërimin se Twitter, do të sjell shërbimin “Super Follows”, për të cilin përdoruesit duhet të paguajnë për përmbajtjen speciale që do të ofrojë ky shërbim i ri.