Zbulime të mahnitshme ndodhin çdo ditë në botën teknologjike dhe zbulime kreative, të cilat pasurojnë dhe lehtësojnë jetën tonë. Më poshtë lajmit, Radio KFOR-i ju sjell disa nga shpikjet e fundit nga bota e teknologjisë:
– Zanco, është emërtuar telefoni më i vogël celular në botë. Diagonalja e ekranit të tij është 1.2 centimetra, dhe e gjithë madhësia e tij është 46.7 milimetra. Sigurisht po pyesni se çfarë mund të bëjmë me një telefon kaq të vogël. Në fakt, në telefonin më të vogël në botë ‘Zanco’, mund të ruani 300 kontakte dhe 50 mesazhe dhe bateria mund të zgjasë për 3 ditë. Gjithashtu ky celular simpatik ka Bluetooth dhe mund ta lidhni me pajisje të tjera. E çmimi i këtij celulari është vetëm 35 dollarë.
– Sigurisht të gjithë e kujtojmë telefonin më të përdorur të një periudhe kohore Nokia 6310, që ende ruan vendin e tij në kujtime, edhe pas shumë viteve të largimit të tij nga tregu. HMD Global, e cila ka licencën për këtë telefon legjendar, ka lëshuar së fundmi versionin modern të këtij telefoni. Sipas Hardware News, dizajni i ri është i frymëzuar nga modeli origjinal që debutoi në vitin 2001. Ikonat dhe madhësia e tekstit janë rritur, duke e bërë ekranin më të lexueshëm për përdoruesit. Pjesa e pasme e ‘Nokia 6310’, ka një kamerë të vetme me një rezolucion prej 0.3 megapikselë dhe një blic LED. Karakteristikat e tjera përfshijnë Bluetooth, Wi-Fi, mbështetje me dy karta SIM dhe qasje në radio. Çmimi i këtij telefoni, i cili ofrohet në opsionet e ngjyrave të verdha, të zeza dhe jeshile, është 60 euro.
– Shkencëtarët në Japoni, konkretisht në ‘Institutin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit’, kanë thyer rekordin e shpejtësisë së internetit me 319Tbps. Për ta vënë në kontekst, është dy herë më shpejtë sesa 179 Tbps , e vendosur nga hulumtues Britanikë dhe Japonezë në Gusht të 2020-ës. Linja e fibrës optike e përdorur për këtë testim përmban katër bërthama në vend të një dhe u realizua në një distancë prej 1.864 miljesh pa humbur as cilësi sinjali, e as shpejtësie. Si me çdo eksperiment tjetër do të duhet kohë përpara se ky testim të implementohet në masë.