Me të dhënat e deri tanishme dhe me hulumtimet që vazhdimisht po bëhen për virusin Covid-19, po kuptojmë që jo vetëm të moshuarit janë të rrezikuar nga ky virus, por edhe moshat e reja, e me raste edhe fëmijët.
Megjithatë, sipas studimeve të vazhdueshme, po vihet re që më të prekurit nga kjo sëmundje janë të moshuarit dhe në lidhje me këtë temë Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë virtuale me z. Ismet Stublla, i cili i takon moshës së tretë, për të kuptuar se si po e përballon ai situatën pandemike: “Me fillimin e pandemisë, pastaj izolimin total, për shkak të këtij virusi, mund të them që gjendja ime emocionale ka qenë shumë e rëndë, mos të flas për atë fizike. Jam mundu e po vazhdoj të kem kujdes që të mos jem edhe unë pjesë e numrave të shumtë të të infektuarve, që po shtohen çdo ditë. Duke qenë kryefamiljar, kohëve të fundit jam shumë më i qetë se që isha në fillim të kësaj situate, në mënyrë që ta ruaj edhe shëndetin tim psikik”, tha z. Stublla.
Njerëzit duhet të mbështesin anëtarët ose miqtë e tyre të moshuar, duke i telefonuar më shpesh, duke i pyetur kohë pas kohe për nevojat e tyre, mirëpo nëse është e mundur edhe të ju dërgojnë ushqim në shtëpi, nëse kjo është e mundur.
Mirëpo, është vërtet e rëndësishme që të kujdesemi dhe të mendojmë për pleqtë tanë edhe në kohë krizash dhe sadopak të bëjmë për ata, atë që kanë bërë ata për ne.