Me fillimin lehtësimit të masave kufizuese, të caktuara për shkak të virusit COVID-19, megjithatë shkollat akoma nuk janë hapur, ato po vazhdojnë të zbatojnë mësimin në distancë.
Znj. Synavere Ahmetxhekaj Daci, është një nga shumë mësimdhënëset në Kosovë, e cila i mëson fëmijët përmes metodave të ndryshme online, për të komunikuar me nxënësit e saj të klasës së II-të, të shkollës fillore “Naim Frashëri” dhe në një prononcim për Radio KFOR-in ajo u shpreh: “Mundësia e të mësuarit përmes platfromave online, po na ndihmon që fëmijët tanë të mos ngecin prapa. Përveç mësimit në distancë në Televizionin publik, unë vazhdimisht realizoj edhe takime të drejtpërdrejta me nxënësit e mi, në mënyrë që të bindem nëse ata i kanë kuptuar të gjitha mësimet e dhëna, bëjmë përsëritje dhe ju jap aktivitete shtesë”, ka thënë për Radio KFOR-in, znj. Ahmetgjekaj Daci.
Ndërsa, nënë e Harisit i cili vijon mësimet në klasën e III-të dhe Amarit në klasë të II-të, znj. Behie Bytyqi Kaqkini, në lidhje me mësimin në distancë për Radio KFOR-in tha: “Konsideroj që të gjithë prindërit bashkëndjejnë me mua, kur them që qëndrimi i gjatë i fëmijëve në shtëpi, pa shkuar në shkollë, po bëhet gjithnjë e më i vështirë, sepse jo gjithmonë fëmijët dëgjojnë nënat më shumë se pedagogët, kështu që edhe unë po has në vështirësi të shumta.”
Sipas Ministrisë së Arsimit të Kosovës, mësimi pritet të filloj në muajin shtator, pas mbylljes së tyre më 11 mars, të këtij viti.