Pas një pushimi të zgjatur dimëror, si shkak i situatës së krijuar nga CoViD -19, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, gjysmëvjetorin e dytë shkollor 2020/2021, do ta vazhdojnë fizikisht në shkolla. Kështu tregoi për Radio KFOR-in, Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Diellza Kukaj: “Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) , ka marr një vendim për zgjatjen e pushimit dimëror për shkak të situatës me virus dhe me këtë rast është bërë ndryshim i kalendarit të vitit shkollor dhe në këtë kohë MASHTI, ka paraparë që këto ditë të kompensohen me pushimin pranveror dhe në ditët e shtune, ashtu siç do të harmonizohen nga komunat. Shkollat gjatë kësaj periudhe të pushimit dimëror ashtu siç ka qenë e paraparë, janë aktivizuar në sigurimin e kushteve të sigurta për nxënësit, si sigurimi i hapësirave dhe pajisjeve të ndryshme për sigurimin e shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve. Gjithashtu MASHTI me burimet e veta, periudhën e pushimit e ka shfrytëzuar për përkrahje të shkollave me pajise dhe mjete të nevojshme për sigurimin e një ambienti të shëndetshëm. Kemi ofruar gjithashtu një udhëzues për mësimdhënësit, për angazhim në mësim plotësues për nxënësit, të cilën kanë mbetur prapa me mësime. Sa i përket formës së organizimit për periudhën e dytë apo gjysmëvjetorin e dytë, MASHTI ka udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie, i cili mund të themi se ka rezultuar efikas për periudhën e parë. Prioritet i yni, është kthimi fizik i nxënësve në shkolla sipas skenarit A, megjithatë sipas situatës, shkollat mund të shkojnë edhe me skenarët tjerë në bazë të nevojës.”
Në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë me 24 dhjetor dhe të nisë me 8 janar. Megjithatë për shkak të situatës së krijuar me CoViD-19, MASHTI ka zgjatur pushimin dimëror dhe gjysmë vjetori i dytë fillon me 18 janar, 2021.