‘Education Comes First’, ka hapur dje (20.11.18) një ekspozitë jo të zakonshme, bëhet fjalë për punimet e nxënësve nga klasa e parë e deri në të gjashtën, të shkollave fillore në Gjakovë, ku gjatë një kampi verorë, fëmijët pjesëmarrës realizuan piktura të cilat i ngjanin stilit të Pikasos. Punimet e tyre të veçanta janë ekspozuarnë Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë.
Për të mësuar më shumë rreth këtij aktiviteti, Radio KFOR-i kontaktoi koordinatoren e ‘Education Comes First’, Saranda Rexha, e cila na tregoi se ishte mahnitur me punimet e fëmijëve:
“Të gjitha punimet ishin të mira, por mund të them që punimet ndoshta më të bukurat prej të gjithave, ishin ato të nxënësve të klasës së parë. Ata kishin njohuri për artin dhe ishin shumë të njoftuar për stilin e Pikasos dhe e kanë shprehur talentin e tyre në atë formën e tyre origjinale pa ndërhyrje. Kështu që, kjo ndoshta do të ishte edhe rruga më e mirë që ne ta promovojmë artin dhe kulturën në vendin tonë, duke u dhënë të rinjve mundësi që të shprehin talentin, origjinalitetin e tyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme artistike dhe kulturore.”