Në kuadër të Kampanjës “Ndaleni heshtjen: Flisni hapur, flisni me zë të lartë”, sot (30 tetor), do të mbahet eventi “Të sfidosh strukturën”, ku folëse do të jetë drejtoresha ekzekutive e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi, Luljeta Aliu.
Ky event do të fillojë në orën 17:00, ndërsa folësja Luljeta Aliu, njihet për aktivizimin e saj të zëshëm për ngritjen e vetëdijes rreth shkeljeve që mund t’u bëhen qytetarëve, e sidomos grave kur përballen me dhunën në familje.
Me këtë rast Radio KFOR-i ka kontaktuar Luljeta Aliun, e cila ka thënë se organizimi i sotëm nuk është vetëm revoltë kundër dhunës në familje, por revoltë për të gjitha fenomenet negative në shoqëri.
“Personat që preken nga dhuna në familje duhet të ndihmohen. Ne si Iniciativë i informojmë qytetarët se cilat hapa duhet t’i ndërmarrin për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ne po bëjmë më shumë avokim shoqëror. Porosia ime për të gjithë dëgjuesit është që problemet që i hasin në shoqëri është e vështirë t’i tejkalojnë vetëm. Unë mendoj që gratë kanë nevojë të organizohen më shumë se që janë të organizuara tani dhe unë jam e hapur për bashkëpunim, andaj të gjitha ato që kanë probleme mund të lajmërohen tek ne. Ndërsa, burrave u them se mbrojtja e të drejtave të grave nuk ka të bëjë vetëm me gratë, por edhe me zhvillim shoqëror. Shoqëria nuk zhvillohet nëse gratë nuk i kanë të drejtat e barabarta”, tha Aliu për Radio KFOR-in.
Përveç diskutimit të hapur, në eventin e sotëm do të shfaqet edhe një dokumentar, i titulluar “Not your property”, i realizuar nga UNMIK-u rreth sfidave të grave kosovare për t’iu kundërvënë dhunës në familje dhe shoqëri.