Krahas temperaturave të larta që rëndom mbretërojnë gjatë stinës së verës, janë aktivitetet e ndryshme kulturore ato që kontribuojnë në çaste freskuese jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për bashkëatdhetarët që në këtë kohë janë në vendlindje.
Kësisoj, Organizata Joqeveritare “Cult Club”, do të organizoj ngjarjen artistike, tashmë tradicionale “Summer Cult”, ku do të ketë performanca teatrore, muzikore dhe pikturim.
Për detaje më të hollësishme, ne morrëm një prononcim nga drejtoresha artistike e projektit, Elmaze Nura, e cila ekskluzivisht për Radio KFOR-in na e shplaosi qëllimin e realizimit të këtij aktiviteti kulturor.
“Qëllimi i këtij projekti është që të forcojë lidhjet e artistëve me publikun. Gjatë dy ditëve, me 13 dhe 14 gusht në dy sheshet e Prishtinës, tek “Zahir Pajaziti” dhe tek sheshi “Skënderbeu”, publiku artdashës mund të shohë pjesë teatrore, të dëgjojë muzikë të mirë si dhe të përcjellë nga afër punën e piktorëve” theksoi ajo duke shtuar se “arti në hapësirat publike, është i njohur në vende të ndryshme të botës dhe organizata Cult Club, i ka mbetur besnike konceptit të tillë të Summer Cult’, përfundoi për Radio KFOR-in, Elmaze Nura.
Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe mbështetës të tjerë dhe kjo është hera e pestë që organizohet “Summer Cult”.