Sot, më 15 tetor, shënohet ‘Dita Botërore e Studentëve’, e cila është një festë e diversitetit, kulturave të ndryshme dhe e bashkëpunimit midis studentëve në të gjithë globin.
Për të folur për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i, ka kontaktuar dy studente të Nivelit Master në Fakultetin e Edukimit, Mësimdhënie Lëndore, me Specializim në Biologji, Sherifen dhe Getoarbën, të cilat kanë përçuar porosi të ndryshme për të rinjtë që aktualisht janë duke vijuar studimet:
– “Unë jam Sherife Shabani. Për kohën që jetojmë, studimet janë bërë të domosdoshme për t’u integruar jo vetëm në tregun e punës, por edhe në një jetë aktive shoqërore. Përveç ngritjes akademike e intelektuale që studimet ta mundësojnë, është edhe komponenti i zhvillimit personal e ndër personal që gjatë udhëtimit tonë studentor, ne e përjetojmë dhe e kemi mundësinë që ta përvetësojmë e ta formësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme – kjo duke qenë në kontakt me kolegë të karaktereve e personaliteteve të ndryshme, nga vende të ndryshme.”
– “Unë jam Getoarba Prokshaj. Duke studiuar përmirësohem, bëhem vatër diturish, vatër e cila i shërben edhe të tjerëve për ta kuptuar magjinë e të studiuarit. Mesazhi im është: lexoni, hulumtoni, studioni sepse gjëja më e bukur e të studiuarit është se atë që e mësoni, askush nuk mund ta marr nga ju.”
Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 15 tetorin si ‘Ditën Botërore të Studentëve’, në vitin 2010, në datën e lindjes së ish-presidentit të Indisë, Abdul Kalam, për shkak të dashurisë së tij të madhe për studentët dhe përqendrimit në promovimin e arsimit. Porosia e Kalamit për studentët ishte “Ju duhet të ëndërroni, para se ëndrrat tuaja të bëhen realitet”.