Në hapësirat e amfiteatrit ‘Idriz Ajeti’ të Fakultetit të Filologjisë në ‘Universitetin e Prishtinës’ sot (20.02.20) nga ora 14:00, do të promovohet revista ‘INTRO’ , që është produkt i punës së studentëve të vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë, në kuadër të lëndës ‘Menaxhim i medias’.
Puna në revistë është udhëhequr nga profesori i lëndës ‘Menaxhim i medias’, Arben Fetoshi dhe asistentja e kësaj lënde, Gentianë Paçarizi. Në një intervistë për Radio KFOR-in, asistentja në departamentin e gazetarisë në UP, Gentianë Paçarizi, tregoi për përmbajtjen dhe rëndësinë e botimit të kësaj reviste: “Revista synon të kontribuojë në një boshllëk të informacioneve rreth Edukimit mbi Median dhe Informacionin (EMI) në gjuhën shqipe. Llojllojshmëria e artikujve siguron një gjithëpërfshirje të kësaj fushe dhe është e frymëzuar nga qasja se mediet dhe teknologjia nuk duhet të përshkruhen si të rrezikshme, rrjedhimisht nuk duhet të theksohet nevoja për t’u mbrojtur nga to, por nevoja që qytetarët të aftësohen me shkathtësitë e nevojshme për t’i përdorur mediet, teknologjinë dhe informacionin, për t’iu dalë mbanë sfidave të shekullit XXI.”
Kjo praktikë e botimit të revistave nga studentët në prag të diplomimit, tashmë është bërë tradicionale në departamentin e gazetarisë në UP.