Ngjyrat që simbolizojnë jetën, të bukurën dhe natyrën, janë ngjyra dominuese të pikturave të nxënëses 12 vjeçare, Stina Halili, e cila nëpërmjet pikturës paraqet të bukurën. Stina, e cila vijon mësimet në SHMU “Meto Bajraktari”, në Prishtinë dhe ndjek kursin e pikturës ‘Da Vinçi’, duket që do të ketë një të ardhme premtuese. Në një intervistë dhënë Radio KFOR-it, Stina ka treguar se kur ka filluar të merret me pikturë: “Përpara se të regjistrohesha në kursin e pikturës, unë gjithmonë e kam dashur pikturën dhe kam filluar me vizatime qysh kur isha shumë më e vogël. Nga viti i shkuar, unë vendosa që ta avancoj talentin tim dhe ta kultivoj ëndrrën time, që të jem një artiste e madhe në të ardhmen. Mua më pëlqen të pikturoj peizazhe të natyrës, mirëpo kohëve të fundit jam marr shumë edhe me portrete. Teknika aktuale dhe ajo që e preferoj, është akrili.”
Artistja, Stina Halili, ka qenë së fundmi pjesëmarrëse në dy konkurse të pikturës, ku është vlerësuar lart për punën e saj. Përmes frekuencave të Radio KFOR-it, për të gjithë të rinjtë e Kosovës, Stina ka këtë mesazh: “U them të gjithë të rinjve të Kosovës, nëse e duan artin, nëse kanë talent për të, të punojnë për ta kultivuar talentin e tyre dhe të angazhohen, pasi që vetëm duke punuar për talentin e tyre, do të arrijnë të korrin suksese.”
Për të parë punën unike të Stinës, ndiqeni atë në Instagram: @artbystinah