Stevland Hardaway Morris i njohur me emrin skenik ‘Stevie Wonder’, është protagonisti kryesor i ditës së sotme në Radio KFOR, ku do të shkëpusim momente të karrierës së tij madhështore në muzikë.
I verbër që nga lindja e tij, Stevie Wonder, i dëshmoi botës se talenti dhe përkushtimi do t’ju sjellin sukses. Ai si fëmijë ishte i njohur si Little Wonder, i cili deri në këtë ditë është artisti më i ri në botë që ka arritur të jetë në krye të top listave amerikane. Kur ishte vetëm 13 vjeç, ai publikoi singlin “Fingertips”.
Suksesi maksimal i Wonder-it, ishte në vitin 1970, kur ai publikoi albumin ‘Music in my mind’ dhe albumin tjetër ‘Talking Book’. Këto albume u pasuan nga super hitet “Superstition” dhe ‘You are the sunshine of my life’. Me këto këngë Wonder, fitoi 3 çmime Grammy.
Në Shtator të vitit 1970, në moshën 20 vjeçare, Steve Wonder, u martua me kantautoren, Syreeta Wright. Bashkërisht ata punuan në albumin e radhës ‘Where Im Coming From’, që u publikua në vitin 1971. Në vitin 1983, Wonder, publikoi albumin me këngët që ishin kolonë zanore e filmit ‘The Women in Red’, duke sjellë kështu disa nga hitet e tij më të mëdha. Kënga “I Just Called to Say I Love You”, pjesë e këtij albumi, arriti që të klasifikohet në pozitën e parë në Amerikë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke fituar në vitin 1985 edhe çmimin OSCAR, për këngën më të mirë, të publikuar për një film.
Në vitin 2009, Stevie, është nderuar edhe nga Presidenti Amerikan, Barack Obama, me çmimin ‘Gershwin’, një çmim që nderon karrierën dhe arritjet jetësore të një personaliteti.
Stevie Wonder ka shitur mbi 100 milion albume në të gjithë botën, duke e bërë atë një nga artistët me shitjet më të mëdha të muzikës, mirëpo ai ka fituar edhe 25 çmime Grammy, duke e bërë atë një nga artistët më të vlerësuar të të gjitha kohërave.