Ishte data 13 mars, 2020, kur në Kosovë u konfirmuan dy rastet e para pozitive me ‘CoViD – 19’, duke e bërë kështu edhe Kosovën pjesë të listës së vendeve që do të nisin me ndërmarrjen e masave për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie dhe menaxhimin sa më të mirë të saj.Njëra nga këto masa kishte qenë edhe mbyllja e kufijve tokësor, vendim ky që ishte marrë më 14 mars, duke bërë kështu që të bie dukshëm numri i personave që hyjnë dhe dalin nëpër pikat kufitare, gjatë kësaj periudhe kohore.
Zyra për Informim në Policinë e Kosovës, në një përgjigje për Radio KFOR-in, ka treguar statistikat e hyrje-daljeve në pikat kufitare që nga muaji mars e deri në fund të muajit qershor 2020. Sipas këtyre të dhënave, nga muaji mars deri ne muajin qershor, në Kosovë kanë hyrë 720.539 mijë pasagjerë të kontrolluar, numri më i lartë i të cilëve ka qenë në muajin qershor, gjithsej 386. 672 mijë, pasuar nga muaji mars me 276.301 mijë pasagjerë të kontrolluar, muaji maj me 34.112 mijë pasagjerë të kontrolluar dhe muaji prill me 23.454 mijë pasagjerë të kontrolluar.
Ndërsa, numri i pasagjerëve në dalje ka qenë më i vogël. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i pasagjerëve të kontrolluar në dalje për periudhën mars – qershor 2020, është 660.606 mijë. Numri më i lartë i pasagjerëve në dalje ka qenë në muajin qershor, gjithsej 342.271 mijë, pasuar nga muaji mars, me gjithsej 259.642 mijë pasagjerë në dalje, për të vazhduar më pas me muajin maj me gjithsej 35.961 mijë pasagjerë dhe muajin prill me 22.732 mijë pasagjerë.
Përveç këtyre të dhënave, Policia e Kosovës po ashtu ka njoftuar se numri i këmbësorëve të kontrolluar gjatë periudhës kohore mars – qershor 2020, në hyrje ka qenë 31.155 mijë, ndërsa në dalje ka qenë 30.272 mijë.