Care for Kosovo Kids (CfKK ) dhe Klubi Alpin Prishtina (KAP) ftojnë të gjithë që kanë mundësi, që ti bashkëngjiten aktivitetit bamirës, që ka për qëllim sjelljen e buzëqeshjes në fytyrat e fëmijeve të prekur nga kanceri, që janë të shtrirë në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën Pediatrike në QKUK, në Prishtinë.
Vullnetarët e KAP dhe CfKK do të lëshohen me litarë nga ndërtesa e Klinikës Pediatrike të veshur me veshje të karaktereve që fëmijët i pëlqejnë shumë si Spiderman, Superman, Babadimër, etj. Aktiviteti në fjalë do t’ju kushtohet fëmijëve të cilët janë duke u trajtuar në klinikë, ndërsa qëllimi është ndarja e lodrave dhe dhuratave të vogla. Aktiviteti mbahet të martën (24.12.2019), prej orës 10:00 deri në orën 12:00 në oborrin e Klinikës së Pediatrisë, vend në të cilin mund të bashkohet dhe të kontribuoj secili që ka mundësi. Të interesuarit mund të sjellin me vete ndonjë dhuratë të vogël për fëmijët (jo ushqim për shkak të kushtëzimeve dietale të fëmijëve të sëmurë). Nëse sillni fëmijë me vete, le të jenë ata që e sjellin dhuratën. T’i rrisim gjeneratat e reja me vullnetin që të ndihmojnë e gëzojnë njëri-tjetrin.
Vlen të përmendim se Care for Kosovo Kids që nga viti 2013 siguron të gjitha ilaqet për femijët me kancer në QKUK, ndërsa Klubi Alpin Prishtina angazhohet rregullisht për aktivitete të përgjegjësisë sociale.