Spice Girls ishin fenomeni më i madh britanik muzikor pop/rock, i përbërë vetëm nga femrat, në mesin e viteve të 90-ta, ku përveç muzikës krijuan revolucion në muzikën pop dhe në thyerjen e stereotipave, duke fuqizuar gratë në gjithë botën përmes muzikës së tyre.
Spice Girls, grupi britanik më simpatik i viteve të 90-ta, u themelua në vitin 1994. Përbëhej nga 5 anëtaret Melanie Brown, Melanie Chisholm, Emma Bunton, Geri Halliwell dhe Victoria Beckham. Ato rastësisht u bënë bashkë, kur aplikuan në një konkurs për valltare së bashku me 400 vajza të tjera, nga të cilat u përzgjodhën vetëm pesë dhe këto vajza formuan ‘Spice Girls’. Spice debutuan me këngën “Wannabe”, në vitin 1996. Kënga pati shumë sukses duke arritur pozitën e parë në 37 vende të botës, për t’ju sjellë vajzave edhe suksesin e tyre të parë global. Albumi i tyre i parë i titulluar ‘Spice’, arriti shitje mbi 31 milion kopje në të gjithë botën, duke u bërë albumi më i shitur nga një grup femrash në historinë muzikore. Në vitin 1997, grupi Spice Girls fitoi dy çmime ‘Brit Awards’, atë për ‘Videon më të mirë britanike’ për këngën “Say You’ll Are There” dhe çmimin për ‘Kënga më e mirë Britanike’ për këngën e titulluar “Wannabe”.
Sukseset e tyre vazhduan edhe më fuqishëm në vitin 1997, ku në ‘Billboard Music Awards’, grupi fitoi 4 çmime. Ato u shpërblyen me çmimet ‘Artistet e reja më të mira’, ‘Kënga më e mirë’, ‘Grupi më i mirë’ si dhe me çmimin ‘Album i vitit’. Pas suksesit të albumit të parë grupi publikoi edhe albumin e tyre të dytë të titulluar ‘Spiceworld’. Ky album vendosi një rekord të ri për vajzat , albumi më i shitur me 20 milion kopje në gjithë botën.
Me 31 maj, të vitit 1998, anëtarja Geri Halliwell, njoftoi fansat e tyre se ajo do të largohej nga bendi Spice Girls, pasi që kishte nevojë për pak pushim. Largimi i saj nga grupi shokoi fansat, përderisa katër anëtaret e mbetura ishin të bindura se grupi do të vazhdonte rrugën drejt suksesit. Megjithatë ato vazhduan karrierën muzikore në bendin Spice Girls, deri në vitin 2001, ndërsa përfundimisht ato u ndanë në mënyrë që secila të vazhdoj karrierën solo.