Budapesti është kryeqyteti i Hungarisë, i cili si qyteti më i madh i këtij vendi, shërben si qendra kryesore politike, kulturore, tregtare, industriale dhe e transportit.
Në 2009-ën, Budapesti kishte 1.712.210 banorë, ndërkaq sot, si zonë metropolitane Budapesti, numëron mbi 3 milion banorë. Budapesti konsiderohet si një nga qytetet më të bukura në Evropë, ku pjesa e përcaktuar nga UNESCO si Trashëgimi Botërore, përfshin brigjet e Danubit, Lagjen Kalaja e Budës, Bulevardin Andrássy, Sheshin e Heronjve dhe hekurudhën nëntokësore Millenium, e dyta më e vjeta në botë.
Ky qytet ka shumë atraksione turistike, veçohen 80 burime gjeo-termale, sistemi i ujërave termike shpellore më i madhi në botë, sinagoga e dytë më e madhe dhe godina e Parlamentit e treta më e madhe në botë.
Budapesti konsiderohet si një qendër e rëndësishme në Evropën Qendrore, i cili renditet i treti (nga 65 qytete) në Indeksin e Tregjeve të Mastercard (2008) dhe renditet si qyteti më i përshtatshëm për të jetuar i Evropës Qendrore / Lindore, në indeksin e cilësisë së jetës së EIU (Economist Intelligence Unit). Budapesti është renditur gjithashtu si “vendi i shtatë më idilik i Evropës për të jetuar” nga “Forbes”. Kryeqyteti i Hungarisë, tërheq rreth 20 milionë vizitorë, gjatë një viti.