Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport (KNKRS), Rexhep Hoti do të bëjë sot (16.01.20) shpërndarjen e librave për disa nxënës në Komunën e Rahovecit dhe atë të Gjakovës. Nxënësit, të cilëve do t’u shpërndahen këto libra, janë fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik.
Shpërndarja e këtyre librave në Rahovec do të bëhet sot në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj”, duke filluar nga ora 11:00, ndërsa në Gjakovë aktiviteti mbahet po sot në Shkollën “Prenk Jakova”, duke filluar nga ora 14:00.
Radio KFOR-i ka kontaktuar këshilltaren e Koordinatorit Hoti, Arbenita Bungun, e cila ka treguar për qëllim e organizimit të këtyre garave dhe shpërndarjen e librave. “Mesazhi i KNKRS është që nxënësit të merren me garë dhe me lexim. Me garë sepse nxirren në pah aftësitë e gjithsecilit nxënës të cilat pastaj shpërblehen dhe me lexim sepse duke lexuar ata do e kuptojnë se sa e rëndësishme është të jesh i ditur, jo vetëm për vete por për gjithë vendin”, shtoi ajo.
Znj. Bungu tutje ka bërë të ditur numri e nxënësve që janë shpallur fitues në kuadër të këtyre garave. “Gara është organizuar fillimisht në nivel shkollor duke zgjedhur më të mirin për secilën gjeneratë për garën përkatëse. Më të mirët e shkollave pastaj kanë garuar për më të mirin e komunës, pastaj këta të fundit kanë garuar për më të mirin e vendit. Në nivelin shkollor janë gjithsej 40.624 mijë fitues, të cilët do të pajisen me certifikata. Në nivel komunal vetëm në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik kemi 2.078 fitues. Të gjithë fituesit do të pajisen me nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh. Në nivel komunal për garën e Diturisë kemi gjithsej 1.467 fitues. Të gjithë fituesit do të pajisen me nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh. Ndërsa, në nivel vendi në të dyja garat ka gjithsej 554 fitues të vendeve të para, të cilët janë shpërblyer me bursa dhe kampe kreative”.