‘Si ndihem unë?’ – kjo është video drama e radhës, e cila prezanton grupin teatral të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët, ‘Emin Duraku’ nga Komuna e Shtimes, në kuadër të projektit ‘ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim’. Drama realizohet nga ‘Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis’, me përkrahjen e ‘GIZ Kosovo’, në emër të Qeverisë Gjermane.
Shfaqja e kësaj video drame do të bëhet online, në faqen e Facebook-ut ‘Travelling Theater for Children and Youth’ duke filluar nga ora 12:00. Kjo është vetëm një video dramat e shumta që po shfaqet në kuadër të këtij projekti, për të cilin më shumë na foli vetë menaxherja e tij, Venera Ismaili e cila po ashtu bëri të ditur se ‘Artpolis’ përmes këtij projekti aspiron krijimin e klubeve të teatrit në 20 shkolla kampione, në 7 komuna. “Themelimi i klubeve të teatrit ka për qëllim të promovojë artin dhe në veçanti teatrin si mjet për përcjelljen e mesazheve dhe ngritjen e vetëdijes për vlerat njerëzore, të rrisë cilësinë e edukimit përmes aktiviteteve joformale dhe jashtëshkollore, të prezantojë metoda interaktive të të mësuarit dhe të adresojë fenomenet negative, të promovojë pjesëmarrjen, barazinë dhe diversitetin e nxënësve, të inkurajojë kreativitetin dhe mendimin kritik të nxënësve, të zhvillojë aftësi artistike dhe vetëvlerësim të nxënësve, të rrisë përfshirjen e prindërve dhe përmirësojë mjedisin shkollor”.
Prishtina, Gjakova, Prizreni, Obiliqi, Podujeva, Gjilani dhe Shtimja janë shtatë komunat në të cilat po realizohet ky projekt.