Për të nënvizuar rëndësinë e Tropikëve dhe për të festuar diversitetin e jashtëzakonshëm dhe befasues, Kombet e Bashkuara shpallën datën e sotme 29 Qershorin, si ‘Ditën Ndërkombëtare të Tropikëve’. Kjo ditë synon të rrisë vetëdijen për sfidat specifike me të cilat përballen zonat tropikale dhe rolin që vendet në tropikët do të luajnë në arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Në të gjithë botën vihet re se sa ka ndikim biodiversiteti në madhështinë skenike dhe zgjedhjen e llojeve të organizmave që ekzistojnë në brezin tropikal në planetin tokë.
Ndërsa biodiversiteti është më i madh në vende tropikale, humbja e biodiversitetit është gjithashtu më e madhe në këto vende sesa në pjesët tjera të botës. Kjo humbje e biodiversitetit i atribuohet pjesërisht veprimtarisë njerëzore, siç janë: shkatërrimi i pyjeve dhe ekosistemeve detare, shfrytëzimi i tepërt i flotave të peshkimit industrial dhe gjahtarëve tregtarë, përhapja e sëmundjeve dhe specieve pushtuese dhe ndikimet në rritje të ndryshimit të klimës.
Për shkak të këtyre çështjeve, shumë lloje të bimëve dhe kafshëve në Tropikët përballen me humbjen e habitatit të tyre. Mirëpo edhe njerëzit që jetojnë në këto vise tropikale, përballen gjithashtu me shumë sfida, më shumë njerëz vuajnë për ushqim në këto vise, sesa kudo tjetër në botë.