1 Maji, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve’, ditë kjo në të cilën theksohet rëndësia e të drejtave, lirive dhe kushteve të punës për punëtorët në mbarë botën. Punëtorët kërkojnë orar të rregullt të punës prej 8 orësh në ditë, pagë mesatare dhe pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
Kërkesa e parë publike në ‘Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve’, ishte paraqitur në Australi, gjatë vitit 1855, me përmbajtjen ‘8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë’. Pas Australisë, kërkesa për të drejta në punë dhe kushte të punës, pati edhe në Amerikë, e më vonë edhe në Evropë.
Në vitin 1890, në Paris, ishte vendosur që data ‘1 Maj’, të shënohet si ‘Ditë Ndërkombëtare e Punëtorëve’. Ndërsa, vetëm një vit më pas, më 1891, në Bruksel u mor vendim që 1 Maji të kremtohet si ‘Festa e Punëtorëve’, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë: liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.
‘1 Maji’ ndër vite është shënuar edhe në Kosovë, me aktivitete të ndryshme, por këtë vit, shumë nga këto aktivitete të parapara janë anuluar për shkak të pandemisë ‘Covid – 19’.