Data e sotme 9 tetor, shënon ‘Ditën Botërore të Postës’, për të treguar kështu rëndësinë e këtij shërbimi dhe kontributin që ka posta në shoqëri dhe në ekonominë globale. Shërbimet postare janë shërbimet më të vjetra dhe më të përdorshmet. Ato lindën së bashku me njerëzimin, si një nevojë e domosdoshme komunikimi midis njerëzve të rajoneve të ndryshme.
Për shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtarin për marrëdhënie me publikun në Postën e Kosovës (PK), z. Arsim Mehmeti, i cili potencoi: “Edhe sot, një pjesë e madhe e qytetareve të Kosovës, i shfrytëzojnë/përdorin shërbimet tradicionale përmes Postës së Kosovës, duke dërguar sasi të konsiderueshme të letrave të shkruara, kartolinave, dhuratave e gjësendeve të tjera, dedikuar mërgimtarëve, mirëpo edhe ata u dërgojnë në Kosovë përmes shërbimit postar, gjëra të ndryshme më të dashurve të tyre. Viteve të fundit ka një rritje shumë më të madhe të numrit të qytetarëve të Kosovës, që blejnë mallra të ndryshme përmes internetit. Gjatë viteve para pandemisë, pra gjatë vitit 2019, kemi pasur një vëllim të dërgesave postare prej 520.000 copë në ardhje dhe rreth 170.000 copë në shkuarje.
Tutje z. Memeti, tha se me gjithë rrethanat aktuale pandemike, Posta e Kosovës do të shënojë ‘Ditën Botërore të Postës’, me aktivitete simbolike me ç‘rast Menaxhmenti i Postës , do ti shpërblejë me Mirënjohje punonjësit më të dalluar, të cilët kanë kryer punë të suksesshme me përkushtim të lartë në shërbim ndaj qytetarëve tanë edhe në këtë kohë mjaft sfiduese për shëndetin e gjithmbarshëm.