Përkthimi pa dyshim është një nga profesionet më të rëndësishme në botë. Nëpërmes përkthimit ne thyejmë çdo barrierë gjuhësore dhe depërtojmë në çdo pjesë të botës, përmes fjalëve që vijnë në gjuhën tonë të përkthyera, duke pasuruar botën tonë dhe duke na bashkuar me njëri-tjetrin. Për të vlerësuar dhe për të njohur kontributin e përkthyesve ‘Kombet e Bashkuara’, nëpërmes një rezolute të veçantë kanë vendosur që botërisht kjo ditë të shënohet çdo vit, me datën 30 shtator. Përkthyesit profesionistë i japin ngjyrë jetës sonë, na mundësojnë që të udhëtojmë përmes fjalëve dhe të mund të lexojmë vepra, shkrime, poezi nga e gjithë bota. Përkthyesja/interpretja në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë, Mirjeta Ballanca, për dëgjuesit e Radio KFOR-it foli për rëndësinë e përkthimit në jetën tonë dhe specifikat që sjellë profesioni i përkthyesit: “Përkthimi është shumë i rëndësishëm, sepse pa të nuk mund të ketë globalizim. Njerëzit, në këtë kontekst pra përkthyesit, janë ata që bashkojnë botën, kombet e ndryshme, kulturat e ndryshme. Ata të cilët ndihmojnë komunikimin në procese të ndryshme historike, kulturore, politike, pra shoqërore në përgjithësi. Një përkthyes i mirë duhet të njohë fillimisht gjuhën e tij amtare, pastaj gjuhën në të cilën përkthen, mirëpo gjithashtu duhet të njohë kulturën e të gjithë atyre gjuhëve burimore që përkthen, të jetë i/e përgatitur para çdo aktiviteti, të lexojë dhe të jetë kurioz dhe kërkues vazhdimisht në të gjitha aspektet që atakon me profesionin e përkthyesit.”
Znj. Ballanca ndau edhe momente nga puna e saj shumë vjeçare si përkthyese, duke treguar se kishte raste kur ajo duhej të përkthente në të njëjtën kohë në tre gjuhë të ndryshme, duke këshilluar edhe përkthyesit e rinj që të vazhdojnë të eksplorojnë edhe më tej profesionin e tyre si një profesion që kërkon përkushtim dhe dashuri të madhe.
Në këtë ditë bota vlerëson dhe falënderon punën e pa lodhshme të përkthyesve, të cilët e sjellin botën më afër nesh dhe na mundësojnë komunikim më të lehtë.