Muaji shtator ka shënuar lehtësim të situatës pandemike në Kosovë, bazuar në të dhënat e institucioneve shëndetësore në vend.
Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, për Radio KFOR-in ka thënë se situata me ‘CoViD-19’ gjatë muajit shtator ka qenë është më e qetë, me më pak raste pozitive dhe me më pak të vdekur: “Ky është një indikacion që tregon se pandemia është nën kontroll. Po shkojmë drejt një normaliteti, por ndryshe nga normaliteti para pandemisë. Një normalitet gjatë të cilit do të jemi të detyruar për t’u mbrojtur duke bartur maskën, duke ruajtur distancën dhe duke rritur nivelin e higjienës, për aq kohë sa virusi të jetë i pranishëm, që duket që do të jetë kohë goxha e gjatë, për faktin se vaksina ende nuk është zhvilluar dhe aprovuar për përdorim, si mënyra më efikase kundër virusit. Duhet shumë kujdes nga popullata në zbatimin e masave mbrojtëse dhe shumë përkushtim nga institucionet që të mbrojnë shëndetin publik të qytetarëve, duke shprehur në të njëjtën kohë një solidaritet me të gjithë popujt në përballimin e kësaj pandemie.”
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë kishte bërë të ditur se javëve të fundit rastet pozitive me ‘CoViD-19’ kishin shënuar rënie deri në 44 për qind. Aktualisht, numri i rasteve aktive me ‘Covid-19’ në Kosovë, është 1.457, ndërsa numri i të shëruarve ka arritur në 13.492 raste.