1 Korriku njihet si ‘Dita Ndërkombëtare e muzikës Reggae’. Është një festë maratonë 24 orësh, për kulturën reggae dhe ndikimin e saj në muzikën Xhamajkane dhe botërore. Kjo ditë ka për qëllim bashkimin e kombeve duke përdorur fuqinë e muzikës, mediave dhe teknologjisë së komunikimit. Muzika Reggae ka origjinë nga Xhamajka e viteve te 60- ta, kur në këngën “Do the Reggae”, nga grupi Toots and Maytals, u përdor shprehja “Reggae” për herë të parë në një këngë kaq të famshme. Ky zhanër muzikor është mjaft i përhapur në gjithë botën, me emra si Bob Marley e Petter Tosh që dhanë shume për muzikën botërore me hite të shumta të cilat dëgjohen edhe në vendin tonë.
Radio KFOR është gjithashtu një promotor i madh i muzikës reggae dhe janë dëgjuesit tanë ata që kanë treguar se si i ka bërë për vete ky zhanër i muzikës:
Erëza Rexhepi – “Këngën e parë Reggae e kam dëgju si e vogël, babi ka qenë fans i Bob Marley edhe jam rrit me kangën ‘Three Little Birds’. Është një formë e muzikës që gjithmonë ma kthen disponimin edhe mendoj që i përshtatet çdo stine”
Lorind Sylejmani – “Ka mesazh, ka histori në shumicën e këngëve të këtij zhanri. Artistët më të mëdhenj të muzikës Reggae, i kanë kënduar paqes dhe dashurisë, prandaj mendoj që secili duhet të jetë i lidhur me këtë muzikë.”
Migena Ademi – “Muzika duhet me të prekë në shpirt edhe si e shoh unë, asnjë zhanër muzikor nuk ta prek shpirtin sikur muzika reggae, është një prej zhanreve të pakta që ka qëndru e pastër e nuk është bastardua me modernitete, nuk mendoj që duhet me qenë veç një Ditë e Muzikës Reggae, çdo ditë duhet të vlerësohet ky zhanër muzikor”.