17 Shtatori, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Muzikës Country’, një zhanër muzike, i cili për herë të parë u këndua në vitin 1900 në Amerikë, nga këngëtari, Eck Robertson.
Në këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar muzikantin, Rinor Ukimeri, i cili thotë se ky zhanër, i cili nuk është aq i njohur tek ne, ekzekutohet me instrumente me tela, si kitare akustike, kitare elektrike e të tjera dhe shtoi: “Këtë zhanër kryesisht e kemi hasur në filmat Western, të viteve të 50-ta, 60-ta dhe 70-ta. Duke u nisur nga fakti se është formë e muzikës tradicionale, është e kuptueshme se tek ne praktikohet shumë pak, pasi që secili popull autokton e ka muzikën e vetë popullore që e kultivon. Në këtë rast ne kemi një melos shumë të pasur të muzikës sonë, i cili është mjaft atraktiv për të tjerët që e dëgjojnë. Mendoj se për këtë arsye muzika Country, nuk praktikohet shume tek ne. Uroj që në të ardhmen të kemi artistë ose edhe grupe që e kultivojnë këtë zhanër pasi që është muzikë shume e pasur si nga aspekti ritmik, ai harmonik dhe nga ana e teksteve.”
‘Dita Ndërkombëtare e Muzikës Country’, filloi të shënohet që nga viti 2003 për t’i bërë bashkë artistët dhe fansat e këtij zhanri muzikor në gjithë botën. Po ashtu, 17 Shtatori është data e lindjes së këngëtarit Hank Williams, një nga artistët me ndikimin më të madh në muzikën Country.