Që nga viti 2018, Kombet e Bashkuara e shënojnë datën 24 Prill si ‘Ditë Ndërkombëtare të Multilaterizmit dhe Diplomacisë për Paqe’, e cila ka për qëllim një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Ligjëruesja në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Znj. Jehona Lushaku Sadriu, për Radio KFOR-in foli më shumë për këtë datë dhe ndër të tjera tregoi se kjo ditë është caktuar me rezolutë të veçantë për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Agjendën për Zhvillim të Qëndrueshëm: “Përmes kësaj dite synohet promovimi dhe mbështetja e paqës dhe sigurisë, zhvillimit dhe të drejtave të njeriut në botë. Për më tepër, kjo ditë ka për qëllim riafirmimin e Kartës së KB-së dhe parimeve të saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis vendeve me mjete paqësore. Ajo promovon përdorimin e vendimmarrjes shumëpalëshe dhe diplomacisë në arritjen e zgjidhjeve paqësore të konflikteve midis kombeve.”
Znj. Lushaku Sadriu, tha tutje se kjo ditë duhet t’ju shërbejë shteteve për të definuar rolin e tyre në zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta globale së bashku, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe deliberative: “Shtetet nuk janë aktorë të vetëm në relacionet ndërkombëtare. Ato janë një pjesë e një sistemi ndërkombëtar të ndërvarura nga njëra – tjetra për të adresuar së bashku sfidat, si: ndryshimi i klimës, tensionet gjeopolitike, krizat humanitare dhe migratore janë ndërprerëse, etj, duke shfrytëzuar edhe përparësitë që ka krijuar zhvillimi teknologjik.”