‘Dita Ndërkombëtare e Jazz-it’, është e deklaruar nga UNESCO, në vitin 2011, për të nxjerrë në pah muzikën Jazz dhe rolin e tij diplomatik të bashkimit të njerëzve në të gjithë globin. Kjo ditë është vendosur të shënohet me datën 30 prill të çdo viti.
Në vendin tonë kjo formë arti nuk është e përhapur në masë të mjaftueshme, sidoqoftë gjatë viteve të fundit muzikantë vendor kanë punuar shumë në koncerte e festivale të ndryshme, me qëllim që Jazz-i të zë vendin e merituar në industrinë muzikore.
Njëri ndër këta muzicientë që ka punuar në këtë drejtim, është edhe Visar Kuçi, i cili për Radio KFOR-in foli për ecurinë e zhvillimit të e Jazz-it në vendin tonë: “Për dallim prej vitit të kaluar, sivjet ‘Dita Ndërkombëtare e Jazz-it’, nuk do të shënohet me aktivitete në Kosovë edhe pse Kosova këtë vit ka shënuar progres në këtë zhanër të muzikës. Së pari Kosova, gjegjësisht Prishtina, tash ka një “Big Band”, i cili është prezantuar në disa organizime, e së fundmi edhe me 6 Mars, në ditën përmbyllëse të Festivalit tashmë tradicional “Prishtina Jazz Week”. Programi i “Prishtina Jazz Week”, sivjet ka qenë i një niveli shumë të lartë artistik, duke sjellë emra të njohur të skenës botërore si Joel Ross, Leo Genovese, Jure Pukl, Marcos Varela e të tjerë. Njëherit dy artistët e rinj dhe shumë të talentuar nga Kosova, që jetojnë e veprojnë jashtë vendit, Taulant Mehmeti në New York dhe Enver Muhamedi në Stamboll, lansuan albumet e tyre debutuese në skenën ndërkombëtare të Jazz-it, duke e përfaqësur kështu Kosovën në menyrën më të denjë të mundshme. Shpresojmë që viti i ardhshëm të na gjejë edhe më mirë në këtë fushë të artit muzikorë dhe ta shënojmë edhe ne këtë ditë ashtu si duhet.”