Çdo vit ‘Dita ndërkombëtare e familjeve’, shënohet si njësi themelore e shoqërisë dhe kjo ditë shfrytëzohet për të promovuar ndërgjegjësimin e çështjeve që kanë të bëjnë me familjet.
Për nder të kësaj dite, më 15 maj organizohen aktivitete të ndryshme, përfshirë konferenca dhe programe kulturore. Një ndër aktivitetet që po shënohet në vendin tonë është ekspozita e hapur dhe diskutimi për planifikim familjar, organizuar nga Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN, në kuadër të projektit “Përfshirja e Burrave në Atësi”. Koordinator i projektit “Përfshirja e burrave dhe grave në barazi gjinore” në PEN, z. Bledor Kalleci, foli për radio KFOR-in dhe tha se PEN ka pasur gjenerata të shumta në trajnimet e tyre dhe është vërejtur dëshira dhe entuziazmi tek ata për të ndryshuar normat gjinore dhe seksizmin në shoqëri:
“Në shoqërinë kosovare ekzistojnë shumë sfida të cilat ndikojnë në zhvillimin dhe planifikimin familjar, e njëra ndër to është papunësia dhe kriza ekonomike, kur edhe dihet që qeveria e Kosovës nuk ndan subvencione për prindërit që kanë fëmijë.”
Kalleci po ashtu theksoi se prishja e ekuilibrit në lejet prindërore, ku grave u jepen vetëm 6 muaj pushim e burrave vetëm tre ditë, është një faktor tjetër që ndikon keq në planifikimin familjar dhe më tej shtoi:
“Arsyeja tjetër është edhe mungesa e informacioneve që prindërit e rinj kanë si pasojë e jo trajnimeve apo kurseve që shumica nuk i ndjekin”, tha koordinator i projektit z. Kalleci.
Ekspozita në fjalë do të paraqes foto të prindërve, e sidomos baballarëve, të angazhuar në rritjen e fëmijëve dhe buzëqeshjet në fytyrat e fëmijëve.
Para ekspozitës do të organizohet edhe një debat me temën “Angazhim i barabartë në planifikim familjar”, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të diskutojnë me prindër dhe me sociologen për planifikim familjar dhe sfidat në rritje të fëmijëve. Ekspozita dhe debati mbahet më 15 maj, nga ora 10:00 e deri më 15:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Kjo ngjarje mbështetet nga UNFPA Kosovo – Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara.