‘Dita Ndërkombëtare e Dritës’ është një iniciativë globale, që ka për qëllim vlerësimin e dritës dhe rolin që luan drita në shkencë, kulturë, art dhe arsim.
Për të kuptuar më mirë qëllimin e shënimit të ditës së sotme ‘Ditës Ndërkombëtare të Dritës’, kemi shkëputur një pjesë nga fjalimi i Drejtorit Gjeneral të UNESCO, Audrey Azoulay, i cili e përshkruan rolin e dritës në këtë mënyrë: “Nga lindja e universit deri në krijimin e të gjitha llojeve të teknologjive të reja, nga rrezet X deri tek valët e radios, në fusha aq të larmishme sa mjekësia, bujqësia, energjia, optika dhe të tjera të panumërta, drita i ka dhënë dhe vazhdon ti japë formë botës sonë. Duke kuptuar dritën do të arrijmë progresin më të madh shkencor dhe teknologjik.”
Profesor i Fizikës, Halim Mehana, tregon për rëndësinë e dritës në jetën tonë: “Drita ka rëndësi esenciale në zhvillimin e jetës në planetin tonë. Në forma të ndryshme, me vetitë e saj, ajo gjen aplikim në fusha të ndryshme, si art, fizikë, mjekësi e përditshmëri. Formë e veçantë dhe shumë e përdorshme e dritës është laseri, përdorimi i të cilit këtë vit shënon 60 vjet, zbulim ky, nga Ted Maiman.”
Për të festuar këtë ditë, me 16 maj, të gjithë janë të ftuar nga UNESCO, që të shpërndajnë ndonjë video apo foto interesante të dritave në mediat sociale, duke përdorur thurje dhe inicialet ‘IDL’ që janë shkurtesë për ‘International Day of Light’ dhe në fund të vendosni vitin 2020, si për shembull #IDL2020 , mirëpo mund të përdorni edhe fjalinë #SeeTheLight , me imazhe që tregojnë se si drita ndikon në jetën tonë.