‘Dita ndërkombëtare e diversitetit biologjik apo biodiversiteti’ shënohet çdo 22 maj dhe qëllimi i kësaj dite është që të rritet ndërgjegjësimi dhe mirëkuptimi i njerëzve për bimët, kafshët dhe mikroorganizmat.
Tema e sivjetme që shënohet për këtë ditë është “Biodiversiteti ynë, ushqimi ynë, shëndeti ynë”, për të ngritur vetëdijen e popullatës dhe mbarë botës, për ekosistemin që na rrethon. Ekosistemi përfshin shumëllojshmërinë e bimëve, kafshëve dhe mikroorganizmave dhe deri më tani janë identifikuar rreth 1.75 milionë lloje, kryesisht krijesa të vogla si insekte. Biodiversiteti që ekziston sot, është fryt i miliarda viteve të evolucionit, të formuar nga proceset natyrore dhe gjithnjë e më shumë, nga ndikimi i njerëzve.
“Diversiteti biologjik është thelbësor për shëndetin dhe mirëqenien njerëzore. Unë u bëj thirrje të gjitha qeverive, bizneseve dhe shoqërisë civile që të ndërmarrin veprime urgjente për të mbrojtur dhe menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme rrjetin e brishtë dhe jetësor të jetës në planetin tonë të vetëm”, ka thënë së fundmi lidhur me ktë ditë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.