Zjarrfikësit janë heronjtë e vërtetë të ditëve tona të cilët sakrifikojnë dhe rrezikojnë jetën e tyre për komunitetin ku jetojnë. Pikërisht sot me 4 maj, bota shënon ditën e zjarrfikësve për të vlerësuar dhe falënderuar për shërbimin, rreziqet dhe për punën e tyre.
Kjo ditë u krijua në vitin 1999 për të nderuar 5 zjarrfikës të cilët humbën jetën në mënyrë tragjike gjatë një zjarri të madh që ndodhi në Australi, kur drejtimi i erës ndryshoi papritmas dhe i përfshiu ata në flakë. Në këtë ditë po ashtu kujtojmë edhe mijëra zjarrfikës të tjerë në gjithë botën, që humbën jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët.
Në lidhje me këtë ditë, shefi i zjarrfikësve në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë, Altin Salla, përmes Radio KFOR-it uroi të gjithë zjarrfikësit: “Sakrificat dhe rreziku me të cilat përballen zjarrfikësit në punën e tyre është ekstreme. Kur të gjithë dalin jashtë nga ndërtesa që ka marrë flakë, zjarrfikësit hynë brenda, prandaj respekt dhe mirësi për punën e zjarrfikësve kudo që ata janë. Mirëpo, jo vetëm në këtë ditë të zjarrfikësve, por vazhdimisht duhet t’ju jemi mirënjohës, duke e vlerësuar dhe respektuar punën e tyre jetike, të cilët rrezikojnë jetën e tyre për të mbrojtur të tjerët.“