Çdo vit, me 15 mars, njerëzit rreth globit bashkohen për të shënuar ‘Ditën e Kontaktit’ që njihet edhe si dita për të bërë përpjekje për të kontaktuar me jetën jashtë tokësore apo me civilizimet jashtë tokësore. Byroja Ndërkombëtare e Pjatave Fluturuese (IFSB) shpalli ditën e parë botërore të kontaktit, në vitin 1953. Në këtë ditë, anëtarët e IFSB-së, dërguan një mesazh telepatik në hapësirë, ku një pjesë e mesazhit thoshte: “Ne jemi miqtë tuaj dhe dëshirojmë që ju të paraqiteni këtu në TOKË”.
Më shumë se 60 % e njerëzve në botë, besojnë se ekziston një formë e jetës në planetët e tjerë dhe në ekzistencën e jashtë tokësorëve.
Rreth ekzistencës së jetës jashtë planetit tonë, Radio KFOR-i bisedoi me profesorin e astronomisë dhe kryetarin e klubit ‘Astronomy Outreach of Kosova’, Milaim Rushiti: “Përpjekjet për të kontaktuar me jetën jashtë planetit tonë janë bërë gjithmonë dhe ka teori konspirative që mund të ketë jetë jashtëtokësore. Jemi në një univers shumë të gjerë dhe do të ishte mundësi e mirë nëse do të mund të takonim dhe të kemi argument që kemi arritur të kontaktojmë me botën jashtëtokësore. Shkenca ende nuk njeh ndonjë kontakt fizik me gjallesa të tjera jashtë tokës, por mundësi për jetë në planete tjera, ka. Vetëm para disa vitesh është zbuluar planeti më i ri që mund të jetë i ngjashëm me tokën dhe aty mund të ketë jetë. ”
Siç na tregoi z. Milaim Rushiti, janë miliarda yje në galaktikën tonë dhe miliona galaktika në univers dhe distanca nga toka deri te dielli, është 149 milion kilometra, ndërsa të arrijmë në një galaktikë tjetër na duhet 2 milion vjet dritë.