Data e sotme 24 tetor, shënon “Ditën e Kombeve të Bashkuara (KB)”, e cila është festuar që nga viti 1948, duke shënuar përvjetorin e hyrjes në fuqi të “Kartës” së KB, në vitin 1945. Në vitin 1971, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara rekomandoi që kjo ditë të shënohet si ditë zyrtare dhe të respektohet nga të gjitha shtetet anëtare.
Sekretari i Përgjithshëm, i nënti me radhë, i cili e mori detyrën nga janari i vitit 2017, Antonio Guterres, në lidhje me këtë ditë tha: “Karta u nënshkrua shumë vjet më parë dhe parimet e saj janë po aq të vërteta edhe sot. Besimi në të drejtat themelore të njeriut, të drejtat e barabarta të burrave dhe grave, dinjiteti dhe vlera e çdo personi, e drejta ndërkombëtare dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve dhe standardeve më të mira të jetës në liri, këto janë vlera të qëndrueshme që do të na çojnë në një të ardhme të re.”
Në lidhje me këtë ditë Radio KFOR-i kontaktoi zyrtaren e Kombeve të Bashkuara për Çështje Civile dhe Barazi Gjinore në Kosovë, Dijana Simijonovic, e cila tha: “Që nga themelimi, 75 vite më parë, Kombet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë të përkushtuara për ndërtimin e komuniteteve të forta dhe paqësore. Për 75 vjetorin e Kombeve të Bashkuara, pothuajse një milion njerëz nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe Kosovën, morën pjesë në një sondazh global “E ardhmja që duam dhe Kombe të Bashkuara që kemi nevojë”. Nga rezultatet e marra është bërë e qartë se ata janë të shqetësuar për ndryshimet klimatike dhe shkatërrimin e mjedisit tonë natyror. Ata gjithashtu ndanë mendimet e tyre se çfarë duhet bërë për të ecur përpara me përparësitë globale duke fokusuar që të përfshihet sigurimi i respektit më të madh për të drejtat e njeriut, zgjidhja e konflikteve, trajtimi i varfërisë dhe ulja e korrupsionit. Siç e dini, ky përvjetor vjen në kohë shumë sfiduese për planetin dhe njerëzimin, por po na mëson që të gjithë ne duhet të përfshihemi në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së njëri-tjetrit. Solidariteti na ka afruar së bashku të gjithëve, në Kosovë dhe në të gjithë botën. Le të shpresojmë se ky solidaritet do të mbetet me ne edhe kur të mbarojë pandemia, kështu që ne mund të vazhdojmë të punojmë së bashku në ndërtimin e një bote më paqësore.”
Qëllimi kryesor i Kombeve të Bashkuara është forcimi i bashkëpunimit midis kombeve, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e sigurisë dhe paqes në botë.