‘Dita Botërore e Turizmit’ festohet në mbarë botën me 27 shtator, si një mundësi për të zhvilluar turizmin botëror dhe për të promovuar vendet e ndryshme.
Toka ofron mundësi të panumërta për të eksploruar vende të mrekullueshme për të mësuar për kultura të reja dhe për të njohur më shumë globin në të cilin jetojmë.
Agjentja e shitjes Fllanza Krajkova nga agjensia turistike ‘Pushime.com’, për Radio KFOR-in tregoi se vendet më të kërkuara për t’i vizituar janë vendet aziatike dhe Evropa:
“Kemi shumë interesim për udhëtime në vende të ndryshme. Më shumë ka interesim për Turqi për Dubai, ishujt Maldive, Tajlandë, mirëpo edhe për vende të Evropës si Hungari dhe Kroaci. Ne organizojmë edhe turne dhe guida për turistët nëpër vende të ndryshme të cilat ata duan të vizitojnë”, tregoi Fllanza.
Sot në Prishtinë për nder të kësaj dite ‘Pylli i Arinjve Prishtina’, ka organizuar aktivitete të ndryshme për të mësuar më shumë për turizmin, fakte të ndryshme rreth pyllit që do të zhvillohen sot nga ora 12:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë.
‘Dita Botërore e Turizmit’ këtë vit është fokusuar që të ndihmoj turizmin përmes teknologjisë, duke përfshirë intelegjencën artificiale dhe platformat digjitale.