“Lidhjet” (Connections), kjo është tema që i është caktuar sivjet shënimit të “Ditës Botërore të Sklerozës Multiple”, e cila shënohet çdo vit, me datën 30 maj. Për të ditur më shumë se çka është skleroza multiple dhe si trajtohet ajo, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Psikologen dhe Terapisten Stimuluese, në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku B.I”, Vlora Fejza: “Skleroza është një sëmundje që potencialisht e prekë sistemin nervor dhe palcën kurrizore. Në rastet e sklerozës multiple, sistemi imunitar sulmon mbështjellësin (mielinën) që rrethon dhe mbron qelizat nervore (neuronet). Kështu që kjo shkakton problem në komunikimin mes trurit dhe pjesës tjetër të trupit. Sëmundja mund të shkaktojë dëmtim ose përkeqësim të gjendjes së nervave. Shenjat dhe simptomat e sklerozës multiple, janë të ndryshme dhe varen nga sasia e dëmtimit nervor dhe se cilët nerva janë të prekur. Disa persona me sklerozë multiple mund të humbasin aftësinë për të ecur në mënyrë të pavarur ose të humbin aftësinë e plotë për të ecur. Ndërsa të tjerët, mund të përjetojnë periudha të stagnimit të progresit të sëmundjes dhe cilësohen si përmirësime të përkohshme.”
“Dita Botërore e Sklerozës Multiple” shënohet që nga viti 2009 dhe sipas mjekëve nuk ka ndonjë kurë për sklerozën multiple, por trajtimet mund të ndihmojnë të modifikojnë rrjedhën e sëmundjes dhe të menaxhojnë simptomat, po ashtu të ndihmojnë në shpejtimin e rimëkëmbjes nga sulmet.