Duke fokusuar sigurinë e pacientit si një përparësi globale të shëndetit, 194 shtete anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2019, miratuan krijimin e “Ditës Botërore të Sigurisë së Pacientit”, e cila do të shënohet çdo vit më 17 Shtator.
Edhe para se të shënohet kjo ditë siguria dhe shëndeti i pacientit ka qenë gjithmonë primar për personelin mjekësor. Një gjë të tillë e pohon edhe Dr. Hevzi Ademaj, i cili për Radio KFOR-in tha: ”Për sigurinë e pacientit shpesh flitet në mjekësi dhe tregohet që është një ndër aspektet më të rëndësishme mjekësore. Edhe gjatë studimeve studentët mësojnë se principi i parë në mjekësi është që të mos dëmtohet pacienti, pra mbi të gjitha është siguria e pacientit.”
Me gjithë angazhimin e nevojshëm, pandemia ‘COVID-19’, ka zbuluar sfidat dhe rreziqet e mëdha që punëtorët shëndetësorë po përballen globalisht duke përfshirë infeksionet e lidhura me kujdesin shëndetësor, dhunën, stigmën, shqetësimet psikologjike dhe emocionale, sëmundjet dhe madje edhe vdekjet. Për më tepër, puna në ambiente stresuese i bën punëtorët shëndetësorë më të prirur ndaj gabimeve që mund të çojnë në dëmtimin e pacientit. Prandaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur që motoja e këtij viti, të jetë “Siguria e punëtorëve shëndetësor: Një përparësi për sigurinë e pacientit”.
Sipas kësaj organizate, objektivat e shënimit të “Ditës Botërore të Sigurisë së Pacientit” janë rritja e ndërgjegjësimit dhe angazhimit të publikut, përmirësimi i kuptimit global si dhe nxitja e solidaritetit dhe veprimit global për të promovuar sigurinë e pacientit.