Çdo 23 gusht shënohet “Dita botërore në kujtim të tregtisë me skllevër dhe zhdukjes së saj”, e cila ka për qëllim të mbajë në kujtim të të gjithë njerëzve tregtinë me skllevër dhe tragjedinë e jetës së tyre dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet e racizmit dhe paragjykimit.
Megjithëse, skllavëria konsiderohet si temë historike, në të gjitha kontinentet e botës ka forma të ndryshme të skllavërisë moderne. Sipas vlerësimit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut, mendohet se rreth 600.000 afrikanë, punojnë si skllevër në shtëpitë e familjeve me orgjinë arabe, kurse në Kinë rregullisht zbulohen raste të skllavërisë moderne.
Kujtojmë një rast të ndodhur gjatë muajit korrik në Kinë, kur një punëtor-drejtues i një guroreje u dënua me vdekje për shkak se ai kishte rrahur për vdekje një punëtor me të metat mendore, rast i cili u bë i njohur edhe jashtë Kinës. Prej kësaj u zbulua se kryesisht nëpër gurore, punojnë në kushte të mjerueshme mijëra burra, por edhe shumë fëmijë, që më parë ishin regjistruar si të humbur.
Edhe në Amerikën e Jugut kapitulli i skllavërisë, që konsiderohet si mbyllur prej kohësh, është ende i hapur. S´kanë kaluar as dy muaj prej se policia gjatë një aksioni të madh çliroi 1.100 punëtorë në një plantacion të panxharit të sheqerit. Pronari i fermës, ku prej panxharit të sheqerit nxirrej karburant bio, kishte përdorur një metodë të zakonshme për Brazilin. Ai u kishte shitur njerëzve pa të ardhura plaçka, aparatura pune, medikamente dhe ushqime me çmime të larta, derisa ata nuk ishin më në gjendje të paguanin.
Vlen theksuar se për mbi 400 vjet, më shumë se 15 milionë burra, gra dhe fëmijë ka qenë viktima të tregtisë tragjike të skllevërve transatlantikë, një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit.
Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Viktimave të Skllavërisë ofron mundësinë për të nderuar dhe për të kujtuar ata që vuajtën dhe vdiqën në duart e sistemit brutal të skllavërisë.