‘Dita Botërore e Kancerit’, është një ditë ndërkombëtare e cila shënohet çdo 4 shkurt, për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin dhe për të inkurajuar parandalimin, zbulimin dhe trajtimin e tij. Miliona njerëz diagnostikohen me kancer çdo vit në të gjithë botën, duke e bërë këtë sëmundje, shkaktarin e dytë kryesor të vdekjeve, pas sëmundjes së zemrës në gjithë botën. Për të mësuar rreth gjendjes së të prekurve me kancer në Kosovë, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë, me onkologun Dr. Ekrem Hasani: “Kosova, në veçanti sa i përket numrit të rasteve me kancer, nuk është në një situatë kritike. Kjo shpjegohet nga mosha e qytetarëve të cilët janë më të ri, sepse me rritjen e moshës rritet edhe incidenca. Me këtë kuptojmë paraqitjen e rasteve të reja brenda vitit. ‘Instituti i Onkologjisë së Kosovës’, ofron shërbime të shumta me kimio dhe radioterapi, por që kemi nevojë për teknika të reja dhe ilaçe të reja që janë në përdorim në vende të ndryshme të botës.”
Dr. Hasani, porositi të gjithë qytetarët që të krijojnë një rutinë të shëndetshme të jetesës. Ai theksoi gjithashtu se sa e rëndësishme është të mos konsumoni alkool, duhan dhe të ushqeheni shëndetshëm, e po ashtu të përfshini aktivitetin fizik në jetën tuaj.
Këtë vit, tema e ‘Ditës Botërore të Kancerit’, është ‘Unë jam dhe unë do të Bëj’, duke i dhënë një zë çdo individi që dëshiron të bëjë një angazhim për të vepruar kundër kancerit, përmes përpjekjeve pozitive.