Komunikimi në rrjete sociale është bërë akoma më i shpejtë dhe më atraktiv falë përdorimit të shpeshtë të ‘emojave’, përmes të cilave ne e shprehim tërë atë që duam t’ia themi dikujt.
Tanimë ka disa vite që pikërisht më 17 korrik shënohet ‘Dita Botërore e Emojave’, me qëllim të theksimit të rëndësisë së përdorimit të tyre në komunikimin tonë të përditshëm në rrjete sociale.
Radio KFOR-i ka kontaktuar udhëheqësin e Kompanisë ‘Hallakate’, Valon Canhasi, i cili na foli më shumë për shënimin e kësaj dite. “Fillimisht shënimi i kësaj dite është nisur nga emoji i kalendarit që është në rrjete sociale. Pra, kur duam ta përdorim emojin e kalendarit, neve na shfaqet data 17 korrik, dhe kështu ka nisur e gjithë kjo. Por, tani është ideja me festu përdorimin e komplet emojave që janë në rrjete sociale. Te na, kjo po quhet gjuhë e re, sidomos tek gjeneratat e reja, të cilët i përdorin emojat për të shprehur atë që duan ta thonë, nëse po u pëlqen diçka, apo kur kërkojnë ushqim. Emojat janë bërë pjesë përbërëse e komunikimit për secilin prej neve. Ne në ‘Hallakate’ që dy vite radhazi në këtë ditë e postojmë nga një emoji në faqen tonë dhe i pyesim audiencën se cili është emoji i tyre i preferuar, dhe përgjigjet janë të ndryshme. Ka shumë që e vendosin emojin e kafes, logon e mbretit, emojin duke qarë e të tjera”.
Canhasi tutje për Radio KFOR-in thotë se përdorimi i emojave e bën më të shpejtë dhe më të këndshëm komunikimin në rrjete sociale, derisa tregon se në kompaninë e tyre ‘Hallakate’ kanë një libër të tërë, të shkruar vetëm me emoji, të cilin e kanë titulluar ‘Emoji Love’. Në fund, ai pati edhe një porosi për të gjithë dëgjuesit tanë.
“Për të gjithë që i pëlqejnë dhe i përdorin në përditshmëri këto emoja, ua rekomandoj filmin ‘Emoji’, i cili është i jashtëzakonshëm, sidomos për fëmijë. Është film shumë i mirë, sepse trajton emojat pa kuptim edhe se si emoji përpiqet ta gjejë kuptimin e vetëm, nëse është i lumtur, apo nervoz”.