Çdo 20 maj shënohet Dita Botërore e bletëve për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e bletëve dhe polezinuesve tjerë që mbajnë njerëzit dhe planetin të shëndetshëm.
Dita Botërore e bletëvë përkon me ditëlindjen e Anton Janshës, i cili në shekullin e 18-të ishte pionier i teknikave moderne të bletarisë në Slloveni e më pastaj në shkallë globale.
Faton Kastrati, pronar i bletarisë “Blinaja” nga Lipjani, i cili ka 100 hoje thekson se kjo ditë është shumë e rëndësishme jo vetëm për bletarët por për të gjithë.
“Bletaria është një sektor i rëndësishëm dhe duhet kujdes i madh në mirëmbajtjen e tyre. Gjatë këtij dimri kemi kaluar mirë pasi që nuk ka qenë dimër shumë i ftohtë,” tha Kastrati për Radio KFOR-in.
Ai thekson se Kosova në krahasim me vendet e rajonit qëndron më mirë për shkak të natyrës që ka dhe shton se Prizreni është qyteti që ka natyrë më të mirë për mbajtjen e bletëve, dhe rrafshi i Dukagjinit në përgjithësi.
“Në Ditën Botërore të bletëve dua të theksoj një çështje për të cilën duhet vëmendje më e madhe. Ka të bëjë me spërkatjen që i bëjnë fermerët kulturave të tyre. Ne bletarët duhet të dimë saktësisht kohën kur bëhet spërkatja në mënyrë që t’i mbrojmë bletët tona nga pesticidet që përdorën e sidomos në kohën kur qelin lulet tek pemët,” shtoi Kastrati.
Propozimi i parashtruar nga Republika e Sllovenisë, me mbështetjen e Apimondia, Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Bletarëve dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë, për të shënuar Ditën Botërore të Bletëve, me 20 maj të çdo viti, u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2017.