Pa to, vështirë se do të mund të imagjinohej jeta jonë! Fjala është për bletët, insektet më të dobishme shoqërore që kontribuojnë në tërë zinxhirin tonë ushqimor, pasi që përmes tyre kryhet pjalmimi, rritet rendimenti, ato kontribuojnë në ripërtëritjen e natyrës dhe ruajtjen e ekosistemit.
Pikërisht sot, 20 maj, shënohet “Dita Ndërkombëtare të Bletëve”, ku u bëhet thirrje të gjithëve që të ruajmë bletët, mirëpo këtë thirrje e bënë edhe kultivuesi i bletëve, Z. Faruk Mejzini, i cili në një prononcim për Radio KFOR-in tha: “Të gjithë e dimë që bletët prodhojnë mjaltë, e po ashtu e dimë që mjalti është një ndër ushqimet më të shëndetshme dhe shëruese për njeriun, prandaj në këtë ditë, bëjë thirrje që ti ruajmë bletët, sepse ato na japin jetë. Unë, si kultivues i mjaltës, mendoj që çdo ditë e më shumë popullata po vetëdijesohet për rëndësinë që kanë bletët në jetët tona dhe për vetitë shëruese që ka mjalti për të gjithë ne”, nënvizoi mes tjerash z. Mejzini.
Bleta është një farmaci në vete, ajo shkon lule më lule, duke u ngarkuar dhe u rikthyer për 120 deri 150 mijë herë për 1kg mjaltë, me 1/3 e ngarkesës së peshës së saj, por humbja e bletëve çdo vit po bëhet shqetësim kërcënues, prandaj bëhet thirrje për ruajtjen e tyre.