“8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo është kërkesa e parë publike e cila i parapriu një sërë ngjarjesh e zhvillimesh, përpara se ‘1 Maji’ të jetë ‘Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve’.
Ishte viti 1855 kur punëtorët në Australi kërkuan që nga 24 orët e ditës të kenë kohë për punë, gjumë e dëfrim.
Pas Australisë kërkesa për të drejta në punë dhe kushte të punës, u shtri edhe në Amerikë e më gjerë.
Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e I-rë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht ‘1 Maji’ të mbetet ‘Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve’, “Festa e punëtorëve”, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e Ligje; Liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.
Kjo datë ‘1 Maj’, ju referohet të drejtave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.