Që nga viti 1999, 21 Marsi është shpallur nga UNESCO si ‘Dita Botërore e Poezisë’. Kjo ditë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh.
Kjo ditë ka rëndësi të veçantë për të gjithë poetët, thotë për Radio KFOR-in, poetja, Flutur Mustafa, sipas së cilës, gjatë përditshmërisë poetëve nuk u vlerësohet sa duhet mundi, meqë të tjerët poezinë e marrin si diçka të lehtë: “Të jesh poet/e është sfidë në vete sepse mesazhi që arrin të përcjellësh përmes vargjeve ka peshë dhe je përgjegjës për fjalët që shkruan. E mira e poezisë qëndron tek thjeshtësia dhe mundësia e interpretimit në 1000 emocione të ndryshme varësisht gjendjes emocionale të lexuesit. Jo se emocionet e poetit/es nuk janë të rëndësishme, mirëpo llojllojshmëria emocionale është ajo se çfarë e bën poezinë mbretereshë të letërsisë. Poezia për mua është tempull i qetësisë shpirtërore”.
Në këtë ditë, UNESCO bën thirrje që të zhvillohen sa më shumë aktivitete kulturore në të gjitha vendet e botës.