Që nga viti 2013, 3 Marsi shënohet nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si ‘Dita Botërore e Jetës së Egër’, me qëllim të përkujtimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit mbi kafshët dhe bimët e egra të botës.
Në këtë ditë është shumë e rëndësishme të kujtojmë se biodiversiteti është një komponent shumë i rëndësishëm i mjedisit, ngjashëm si toka, ajri dhe uji, thotë projekt menaxheri në organizatën mjedisore “Let’s Do It Kosova”, Besnik Shabiu, i cili shtoi: “Përgjegjësi e jona nuk është vetëm me u kujdes për këta komponentë të mjedisit, në këtë rast për ajrin, ujin dhe tokën, por njeriu duhet të kujdeset dhe të jetojë në harmoni me miliona organizma, të cilat jetojnë në tokë. Në këtë rast, pasi është ‘3 Marsi – Dita Botërore e Botës së Egër’, duhet pasur parasysh që secili organizëm ka rolin e tij në zinxhirin trofik dhe në momentin që i cenohet ekzistenca një organizimi apo një grupi të caktuar organizmash. Në këtë rast kur flasim për botën e egër në Kosovë duhet të potencojmë se njeriu me aktivitetet e tij, sidomos këto vitet e fundit ka bërë që pothuajse bota e egër në vendin tonë të mos ekzistojë fare. Në këtë rast, duhet të thirret në ngritje të vetëdijes dhe ndërgjegjësim të njeriut që të kenë një kujdes më të shtuar për këto specie. Njeriu duhet të ketë të qartë që nuk është gjithçka, por është vetëm një nga llojet e milionave të organizmave që jetojnë në tokë”.
‘Dita Botërore e Jetës së Egër’ këtë vit po shënohet me temën “Qëndrueshmëria e Jetës në tokë”.