Në vitin 2014, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, vendosi që datën e sotme 15 Korrik, ta ndaj si datë për shënimin e ‘Ditës Botërore të Aftësive të të Rinjve’. Janë moshat e reja nga 15 deri 24 vjeç, që mbetën më së shumti të ekspozuar ndaj pasojave që ka lënë pandemia Covid-19. Kjo pjesë e shoqërisë ka humbur shumë me mbylljen e vendeve të punës dhe gjithashtu të shkollave, prandaj këtë vit, i kushtohet rëndësi e veçantë kësaj teme.
Në vendin tonë ka shumë nevojë për përkrahjen e moshave të reja, prandaj edhe Zyrtari i Marketingut në Bonevet, Besfort Behrami, për Radio KFOR-in tregoi se si kjo organizatë i ndihmon të rinjtë e Kosovës, në përvetësimin e aftësive të ndryshme: “Fokusi i aktiviteteve tona, është puna me të rinjtë në fushën e teknologjisë moderne, ku fëmijët dhe të rinjtë shfrytëzojnë pajisjet BONEVET siç janë: SLA 3D printeri, LaserCut, CNC për pllakat e elektronikës dhe shumë të tjera. Ne besojmë se duke edukuar brezat e rinj në përdorimin efecient të platformave teknologjike, në aspektin pozitiv, atëherë zhvillimi i aftësive të tyre do të jetë më i shpejtë.”
Kjo ditë shënohet për vetëdijesimin e shoqërisë, rreth rëndësisë që ka pajisja e të rinjve me aftësitë e nevojshme, për punësim apo sipërmarrje.