‘Streetball Tournament’, i cili planifikohet të mbahet sot, nga ora 18:00, do të jetë një nga aktivitetet e fundit që do të organizohet në kuadër të ‘Javës Evropiane të Sportit’, në Kosovë. Kjo pasi kjo javë, e cila ka nisur më 23 shtator, do të përmbyllet pikërisht sot, më 30 shtator.
Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ibër Alaj, përmes Radio KFOR-it ka falënderuar Komitetin Olimpik të Kosovës dhe federatat përkatëse për ndihmën e ofruar në organizimin e aktiviteteve gjatë kësaj jave: “Jemi në vazhdën e përfundimit, sepse sot përmbyllet ky cikël disa ditor i mbajtjes së ‘Javës Evropiane të Sportit’, e cila organizohet me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe kjo nënkupton që ne po e promovojmë sportin. Mendojmë që organizimi i kësaj jave ka pasur impakt shumë të madh duke e ditur që po kalojmë në një periudhë pandemike dhe qytetarët, sportistët dhe fëmijët kanë pasur disa aktivitete, të cilat janë organizuar gjatë këtyre 7 ditëve, andaj e vlerësojmë lart pjesëmarrjen e të gjithëve”.
‘Java Evropiane e Sportit’ do të përmbyllet me një ceremoni solemne, në të cilën do të marrë pjesë edhe Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Znj.Vlora Dumoshi.