Sot (15.09.20), duke filluar nga ora 17:00, në fushën e hapur të Marigona Residenc, do të fillojë turneu 3X3 “Woman Streetball AA Prishtina”. Ky aktivitet, që është i pari në vendin tonë i llojit të tij, vjen nën organizimin e trajnerës së klubit ‘AA Prishtina’, Artina Hasani, e cila në një prononcim për Radio KFOR-in ka treguar që ky aktivitet, ndër të tjera, ka për qëllim fuqizimin e vajzave në sport: “Pas pandemisë, shumica e klubeve të vajzave nuk po munden me i mbajtë vajzat në ligë dhe nuk kanë pasur aktivitete pikërisht për shkak të pandemisë. Ka qenë Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, e cila për ‘Muajin e Rinisë’, ka dalë në mbështetje të organizmin që po e bëjmë, e gjithashtu mbështetje kemi pasur edhe nga Federata e Basketbollit, përmes kampanjës ‘Her World, Her Rules’. Ideja e krejt organizimit është se nuk kemi pasur asnjëherë streetball vetëm për vajza, kemi pasur organizime të streetball, por në kuadër të meshkujve, vajzat kanë pasur ndonjë lojë, por jo realisht streetball vetëm për vajza. Qëllimi i ‘Woman Streetball AA Prishtina’, është fuqizimi i vajzave në sport.”
Znj. Hasani ka treguar gjithashtu se vajzat pjesëmarrëse janë të moshave deri në 19 vjeç, ndërsa në turneun 3X3 “Woman Streetball AA Prishtina”, do të marrin pjesë 9 ekipe me vajza që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe përgjatë turneut do të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Të pranishëm në këtë turne do të jenë, Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu si dhe sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.