Në prag te festave të fundvitit, Zyra e Koordinatorit për Zhvillim të Agjensive të OKB-së në Prishtinë, në bashkëpunim me “Klubin Ndërkombëtar të Prishtinës”, do të organizojnë “Panairin e Festave”.
Ky Panair do të mbahet sot (13.12.2019) në Qendrën “Termokiss”, ndërsa do të zgjasë nga ora 12:00 deri në orën 18:00. Për të mësuar më shumë rreth organizimit dhe pjesëmarrësve të këtij Panairi, Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtarin për komunikim në Zyrën e Koordinatorit për Zhvillim të Agjensive të OKB-së në Prishtinë, Shpend Qamilin: “Zyra jonë së bashku me Agjensitë dhe ‘Klubin Ndërkombëtar të Prishtinës’, i cili përfshinë bashkëshortët e diplomatëve që janë të akredituar në Prishtinë, kemi vendosur të organizojmë një panair të vogël të artizanateve për OJQ-të, kryesisht të grave dhe të nënave, të cilat punojnë diçka në shoqëri civile, duke iu mundësuar atyre që të krijojnë pak të ardhura për fundvit. Gjithashtu, panairi është hapur edhe për disa nisma të reja të artizanateve të ndryshme dhe deri më tani kemi mbledhur mbi 20 entitete të ndryshme, të cilat do t’i shfaqin produktet e tyre në këtë panair. Edhe pse është i hapur edhe për publikun e gjerë, në këtë panair kemi targetuar korin diplomatik edhe nivelin e shoqërisë civile”, tha Qamili.
Tutje, ai iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vizitojnë panairet e tilla të fundvitit, në mënyrë që të këmbejnë ide me të tjerët dhe pse jo ta ndihmojnë dikë, duke blerë dhurata, të cilat mund t’ua dhurojnë familjarëve të tyre për fundvit.